Mediat italiane kanë vlerësuar paraqitjen e treguar nga tifozëria shqiptare në stadiumin, ndërsa për lojën e Kombëtares kanë evidentuar gabimet dhe mungesën e eksperiencës.
Sipas “Sportmediaset” Shqipëria e De Biazit u dorëzua para Ukrainës në testin e fundit para finaleve të Europianit.
“Në stadiumin ‘Azzuri d’Italia’ në Bergamo, Shqipëria e lacialit Berisha dhe e napolitanit Hysaj u dorëzua 1-3 ndaj Ukrainës. Zgjedhjet e De Biazit, pas fitores 3-1 ndaj Katarit, u mundën në testin më të vështirë në prag të Euro 2016″”,-shkruan “Sportmediaset”.
Gazeta italiane “La Repubblica Sport” pasqyron në faqen e saj një kronologji që nga shënimi i golit të parë nga Ukraina, e deri te realizimi i golit të tretë. Për paraqitjen e kuqezinjve gazeta italiane shprehet se Shqipëria e De Biazit “përfundoi në tapet”.
Edhe portali i njohur sportiv “Goal.com” vlerësoi entuziazmin e treguar nga tifozët kuqezi në stadiumin e Bergamos, ndërsa vlerëson nivelin e lojës që skuadrat treguan në fushë, paçka se takimi ishte në kuadër të miqësoreve para Europianti.
“Me siguri që në Bergamo, nuk u mërzitën. Pas një çerek ore ekipet shënua dy gola 1-1”,-shkruan portali, ndërsa thekson paraqitjen e mirë të treguar nga Armando Sadiku në këtë takim.