Home / Futboll / Euro 2016 / De Biazi ndryshon formacinin!

De Biazi ndryshon formacinin!

Trajneri Xhani De Biazi po planifikon të bëjë ndryshime rrënjësore në formacion për ndeshjen me Rumaninë, diktuar dhe nga nevoja urgjente e skuadrës për fitore dhe sidomos për forcë të shtuar sulmuese.

“Një skuadër që nuk shënon nuk ka si të fitojë”, është shprehur trajneri, duke lënë të hapur mundësinë e zbritjes në fushë të një ekipi krejtësisht ofensiv.

Por mbetet e paqartë se me cilën skemë do të luajë përfaqësuesja jonë në këtë takim. Përgjithësisht, skuadrat që nuk kanë peshë të madhe fizike dhe tekniko-taktike, pra lojtarë të nivelit të lartë, e kanë të vështirë të luajnë lojë të hapur sulmuese, pasi kjo është me rrezik për ta pësuar në momentet e kundërsulmit nga kundërshtari si pasojë e hapë- sirave të krijuara.

Trajneri po përgatit si duhet këtë sfidë dhe në stërvitjen e djeshme ka provuar disa mënyra me lojtarët që kanë karakter sulmues. Duket e pabesueshme, por një nga variantet që mund të shihet si përfundimtar është ai 4-4-2, e kombinuar në rast nevoje në 4-3-3, në mënyrë që ndeshja të shkojë në drejtimin e duhur. E gjitha kjo bëhet për të shpresuar tek goli.

Kemi zhvilluar dy ndeshje, ku janë pësuar tre gola dhe kuqezinjtë nuk kanë shënuar asnjë. Kjo shihet si mangësi dhe kritikat e De Biazit për sulmuesit kanë qenë në mënyrë indirekte.

Skuadra ka dalë në sulm dhe këtë e vërtetojnë rastet e paraqitura, gjë që tregon se skemat e De Biazit funksionojnë, por lojtarët nuk kanë finalizuar dhe kjo për De Biazin është dëshpëruese. Prandaj ai ka vendosur, me sa duket, të luajë me forca të shtuara në repartin e sulmit, ku Armando Sadikut me shumë gjasë do t’i shtohet shoqëria e Sokol Cikalleshit, ose ajo e Bekim Balajt. Të dy janë në balotazh për një vend në krah të elbasanasit.

Nuk priten ndryshime në portë dhe në mbrojtje. Përjashtim bën Lorik Cana që mund të kthehet titullar në qendër të repartit difensiv, megjithëse kjo nuk është përfundimtare. Ardhja e Canës titullar diktohet dhe nga fakti se Ajeti u lëndua në takimin me Francën. Hysaj në të djathtë dhe Agolli në të majtë nuk diskutohen.

Mavraj e Cana do të mbajnë qendrën dhe pas tyre Berisha mes dy shtyllave. Në mesfushë pritet të ketë sërish ndryshime, pasi mungon Burim Kukeli për shkak kartonësh të verdhë. Memushaj shihet si garanci e madhe, megjithëse ndaj Francës i shkarkoi bateritë e tij.

Abrashi është titullar i padiskutuar pasi vrapon më shumë se kushdo, ndërsa Xhakaj dhe Kaçe janë në balotazh për një vend tjetër në mesfushë.

Në krahun e majtë të mesfushës pritet ta nisë Lenjani, ndërsa para tyre Sadiku dhe Cikalleshi. Por De Biazi ende nuk ka vendosur përfundimisht, pasi grupi që luajti me Francën shihet më i kompletuari.

Check Also

Uells 3-1 Belgjikë: Uellsi mposht yjet e Belgjikës

Në natën më të madhe në historinë e tyre të futbollit, Uellsi mundi Belgjikën 3-1 …

Leave a Reply

Powered by Maç Sonuçları & Canlı Skor Mobil

Motor Racing League plugin by Ian Haycox